---
title: "Konceptet bazë"
page_id: "concepts"
section: "Si të fillosh"
canonical: "https://fature.al/api-reference/pages/concepts.html"
---

# Konceptet bazë

Pjesë e dokumentacionit [fature.al API](/api-reference/index.html).

Kjo faqe shpjegon termat që përdor pjesa tjetër e dokumentacionit. Nëse nuk keni punuar më
parë me fiskalizimin në Shqipëri, lexojeni para
[Fillimit të shpejtë](/api-reference/pages/quickstart.html).

## Fiskalizimi, në pak rreshta

Në Shqipëri çdo faturë raportohet në kohë reale te administrata tatimore, në sistemin qendror të
fiskalizimit (**CIS**). Sistemi e regjistron faturën dhe kthen kodet e saj, të cilat shfaqen në
dokumentin që merr blerësi bashkë me një kod QR që hap faqen e verifikimit. Kur CIS-i nuk arrihet,
fatura lëshohet gjithsesi, ruhet dhe fiskalizohet automatikisht sapo shërbimi kthehet. Faturat drejt
bizneseve mund të shkojnë edhe në platformën qendrore të e-faturave, e cila ia dorëzon blerësit
dokumentin elektronik.

fature.al i bën të gjitha këto: nënshkruan me certifikatën e biznesit, komunikon me CIS-in dhe me
platformën e e-faturave, mban numërimin, ruan dokumentin dhe e riprovon fiskalizimin kur shërbimi nuk
përgjigjet.

## Kush lëshon faturën

| Subjekti | Çfarë është | Ku del në API |
| --- | --- | --- |
| **Kompania** | Biznesi që lëshon faturat, i identifikuar me **NIPT** (i njëjti kod quhet edhe **NUIS**) | Token-i i përket një përdoruesi të saj |
| **Njësia e biznesit** | Vendi ku ushtrohet veprimtaria: dyqani, zyra, magazina. Ka një kod të marrë nga tatimet, `businessUnitCode` | `businessCode` në përgjigje |
| **Operatori** | Personi që lëshon faturën, me kodin e operatorit të marrë nga tatimet | `operatorCode` në përgjigje |
| **Pajisja fiskale (TCR)** | Arka e regjistruar te tatimet, me kodin e saj TCR. Vetëm faturat cash lëshohen nga një TCR | `tcrCode` në përgjigje |
| **Certifikata** | Certifikata elektronike e biznesit, me të cilën nënshkruhet çdo kërkesë drejt tatimeve | Ngarkohet një herë; nuk dërgohet në kërkesa |

Token-i i përdoruesit i mban të gjitha: prej tij zgjidhen kompania, njësia, operatori dhe TCR-ja.
Ju nuk i dërgoni në asnjë kërkesë faturimi. `GET /account` ju thotë me cilin biznes, njësi
biznesi dhe pajisje fiskale po punoni.

## Llojet e dokumenteve

| Dokumenti | Endpoint-i | Kur përdoret |
| --- | --- | --- |
| **Faturë cash** | `POST /invoice/cash` | Pagesa kryhet në çast, në arkë: para në dorë, kartë, kartë kompanie, tollona |
| **Faturë jo-cash** | `POST /invoice/noncash` | Pagesa vjen më vonë, me transfertë ose në llogari |
| **E-faturë** | `POST /invoice/e-invoice` | Blerësi është biznes dhe fatura i dorëzohet nëpërmjet platformës së e-faturave |
| **Faturë porosi** | `POST /invoice/order` | Konsumi ka nisur, pagesa jo: tavolina në restorant |
| **Faturë përmbledhëse** | `POST /invoice/summary` | Mbyll një ose më shumë porosi me një pagesë |
| **Bulk jo-cash** | `POST /invoice/bulk-noncash` | Shumë fatura jo-cash me një kërkesë, për faturim periodik |
| **Fletë shoqëruese (WTN)** | `POST /invoice/wtn` | Mall që lëviz pa u shitur; e kërkuar nga ligji |

Body i kërkesës ndryshon nga një lloj te tjetri më shumë nga sa duket: e njëjta faturë e dërguar te
dy endpoint-e refuzohet nga njëri prej tyre. Rregullat e secilit janë te
[Llojet e faturave](/api-reference/pages/invoice-types.html).

## Çfarë ktheni pas dhe çfarë të ruani

Çdo lëshim kthen të njëjtët identifikues:

| Fusha | Çfarë është | Ruajeni? |
| --- | --- | --- |
| `id` | Id-ja e faturës në fature.al | Po, ose punoni me `internalId` tuaj |
| `number` | Numri i faturës, si `12/2026` | Po; shfaqet te blerësi |
| `iic` | Kodi identifikues i faturës, i llogaritur nga nënshkrimi. Në ligj quhet **NSLF** | Po; është çelësi për notat e korrigjimit dhe për përmbledhëset |
| `fic` | Kodi që kthen CIS-i kur e regjistron faturën. Në ligj quhet **NIVF**. `null` sa kohë fatura pret fiskalizimin | Po |
| `eic` | Kodi i faturës në platformën e e-faturave. Vetëm te e-faturat | Po, te e-faturat |
| `verifyURL` | Faqja e verifikimit te tatimet, ajo që hap kodi QR | Po, nëse printoni vetë |
| `pdf` | URL-ja e dokumentit të gatshëm | Sipas nevojës |

`internalId` është numri i faturës në sistemin tuaj. Ju e dërgoni në çdo lëshim, dhe me të mund ta
gjeni dhe ta anuloni faturën pa mbajtur `id`-në tonë. fature.al nuk e kthen `internalId` në
përgjigjen e lëshimit; ruani vetë lidhjen mes tij dhe `id`, `number` dhe `iic`.

## Fjalorth

| Termi | Kuptimi |
| --- | --- |
| **NIPT / NUIS** | Numri i identifikimit të tatimpaguesit, si `L62221018T`. Dy emra për të njëjtin kod |
| **CIS** | Sistemi qendror i fiskalizimit i administratës tatimore, ku regjistrohet çdo faturë |
| **IIC / NSLF** | Kodi identifikues i faturës, 32 karaktere hexadecimal. I njëjti kod me dy emra |
| **FIC / NIVF** | Kodi që kthen CIS-i kur regjistron faturën, një UUID. I njëjti kod me dy emra |
| **EIC** | Kodi i e-faturës në platformën qendrore të e-faturave |
| **TCR** | Pajisja fiskale (arka) e regjistruar te tatimet, dhe kodi i saj |
| **Njësia e biznesit** | Vendi i ushtrimit të veprimtarisë; ka kodin `businessUnitCode` |
| **Kodi i operatorit** | Kodi i personit që lëshon faturën, i marrë nga tatimet |
| **Self-care** | Portali i administratës tatimore ku biznesi merr kodin e njësisë dhe të operatorit |
| **e-Albania** | Portali shtetëror nga i cili biznesi merr certifikatën elektronike |
| **Arka fiskale** | Dita e punës në një TCR: hapja e balancës, hyrjet dhe daljet e parave, mbyllja |
| **Klienti i rastit** | Blerësi anonim i një shitjeje me pakicë. Fatura cash pa `client` lëshohet për të |
| **Vetëfaturim** | Faturë që e lëshon blerësi në emër të shitësit (`self_issue_type`) |
| **Notë krediti, notë debiti** | Dokument që korrigjon një faturë të lëshuar, duke ulur ose rritur vlerën (`doc_type` `381` ose `383`) |
| **Fletë shoqëruese (WTN)** | Dokumenti që shoqëron mallin në lëvizje kur nuk ka shitje |
| **UBL** | Formati XML i e-faturës; `process` dhe `doc_type` janë fusha të tij |
| **Preventiv** | Ofertë çmimi pa vlerë fiskale; nuk fiskalizohet dhe nuk lëshohet nga ky API |

### Kodet e njësive matëse

`unit_code`, te produktet dhe te rreshtat e e-faturës, pranon vetëm kodet e mëposhtme (UN/ECE Rec. 20,
sipas listës së administratës tatimore). Kodi është ai që shkruhet në dokumentin fiskal; teksti i
njësisë nxirret prej tij dhe nuk dërgohet.

| Grupi | Kodet |
| --- | --- |
| Numërim | `C62` njësi, `XPP` copë, `PR` palë, `DZN` duzinë, `SET` set, `IE` person, `E55` përdorim, `E54` udhëtim, `QB` faqe, `D68` fjalë, `H93` përqindje |
| Peshë | `KGM` kg, `58` kg neto, `E4` kg bruto, `GRM` g, `DTN` kuintal, `TNE` ton, `DT` ton i thatë |
| Vëllim | `LTR` litër, `MLT` mililitër, `MTQ` m³ |
| Gjatësi dhe sipërfaqe | `MTR` metër, `CMT` cm, `MMT` mm, `LM` metër linear, `KMT` km, `MTK` m² |
| Kohë | `SEC` sekondë, `MIN` minutë, `HUR` orë, `DAY` ditë, `MON` muaj, `ANN` vit, `E49` ditë pune, `OT` orë jashtë orarit |
| Të tjera | `KWH` kWh, `MSK` m/s², `M4` vlerë monetare |
| Paketim | `XBX` kuti, `XPK` pako, `XPX` paletë, `XRO` rrotull, `XBG` qese, `XBO` shishe, `XCT` karton, `XCR` arkë, `XSA` thes, `XCA` kanaçe, `XBA` fuçi |

## Më tej

- [Fillimi i shpejtë](/api-reference/pages/quickstart.html) ju çon nga token-i te fatura e parë.
- [Llojet e faturave](/api-reference/pages/invoice-types.html) tregon body-n e secilit endpoint.
- [Gabimet](/api-reference/pages/errors.html) shpjegon si lexohet një përgjigje.
