Hyrje
fature.al është platforma e faturimit dhe e fiskalizimit për bizneset në Shqipëri. Me këtë API sistemi juaj lëshon fatura të fiskalizuara pa u marrë vetë me certifikata, nënshkrim XML dhe SOAP: dërgoni faturën si JSON dhe merrni mbrapsht dokumentin e regjistruar te administrata tatimore, me kodet fiskale, URL-në e verifikimit dhe PDF-në.
Termat e këtij dokumentacioni (fiskalizim, NIPT, TCR, IIC, FIC) shpjegohen te Konceptet bazë.
Në pak rreshta#
| Versioni për të ndërtuar | v1 |
| Versione në përdorim | v1 dhe v2, krahas njëri-tjetrit |
| Live | https://fature.al/api/v1 |
| Sandbox | https://demo.fature.al/api/v1 |
| Formati | JSON në kërkesë dhe në përgjigje, UTF-8 |
| Identifikimi | Bearer token i përdoruesit; ofruesit e software-it dërgojnë edhe client id dhe client secret të aplikacionit |
| Kufiri i përgjithshëm | 300 kërkesa në minutë për token, 120 në minutë për IP pa token; kalimi kthen 429 |
Versioni është pjesë e rrugës: /invoice/cash do të thotë https://fature.al/api/v1/invoice/cash.
Ndërtoni kundrejt sandbox-it dhe kaloni në live duke ndryshuar vetëm adresën bazë.
Për kë është#
- Programe kontabiliteti dhe ERP, që e lëshojnë faturën aty ku bëhet shitja.
- Dyqane online, që e kthejnë porosinë e paguar në faturë në të njëjtin çast.
- Programe arke, bari dhe restoranti, me porosi që hapen dhe mbyllen me një pagesë.
- Ofrues software-i, që e instalojnë të njëjtin program te shumë biznese, secili me identitetin e vet fiskal.
Çfarë ju duhet para thirrjes së parë#
| Ju duhet | Ku e merrni |
|---|---|
| Një llogari në fature.al, me abonim që përfshin modulet që do të përdorni | fature.al, ose demo.fature.al për sandbox |
| Një API token | Në panelin e fature.al, te Konfigurime > API Tokens. Token-i është i përdoruesit, jo i kompanisë |
| Client id dhe client secret të aplikacionit, nëse jeni ofrues software-i | Nga fature.al, kur regjistrohet integrimi juaj. Shihni Identifikimi |
| Certifikata elektronike e biznesit, e ngarkuar në fature.al | Biznesi e merr nga e-Albania dhe e ngarkon një herë në panel |
| Për fatura cash: një pajisje fiskale (TCR) e lidhur me përdoruesin e token-it | Konfigurohet nga biznesi në panel, ose nga ju me endpoint-et e regjistrimit |
Thirrja e parë e dobishme është GET /account: ju thotë me cilin biznes, njësi biznesi dhe pajisje
fiskale po punoni.
Çfarë mbulon#
- Faturat: cash, jo-cash, e-faturë, porosi me përmbledhëse, bulk jo-cash dhe fletë shoqëruese (WTN), me listë, detaje, anulim dhe PDF.
- Klientët dhe produktet, si të dhëna që ndahen mes sistemit tuaj dhe fature.al.
- Arka fiskale: hapja dhe mbyllja e balancës, hyrjet dhe daljet e parave.
- Llogaritë bankare dhe monedhat, bashkë me kursin e ditës.
- Faturat e blerjes, të tërhequra nga CIS-i.
- Raportet, të llogaritura në server.
- Regjistrimi i kompanive, për ofruesit që hapin llogari për klientët e tyre.
Një pamje e plotë është te Çfarë mund të ndërtoni.
Si lexohet një përgjigje#
Çdo përgjigje është JSON. Lexoni së pari kodin HTTP. Në 200, fusha status thotë nëse veprimi u
krye (true, rezultati te data) ose u refuzua (false, arsyeja te message). Në 422, përgjigja
e validimit përdor fushën success në vend të status, dhe errors është objekt sipas fushës.
{"status": true, "data": {"...": "..."}}
{"status": false, "message": "Përshkrimi i gabimit", "errors": ["Mesazhi për përdoruesin"]}
Tabela e plotë e kodeve është te Gabimet.
Nga ku të filloni#
- Konceptet bazë shpjegon fiskalizimin dhe termat.
- Fillimi i shpejtë ju çon nga token-i te fatura e parë.
- Identifikimi mbulon token-in dhe kredencialet e aplikacionit.
Regjistrimi është falas.
Regjistrohu në fature.al