1. Ku ruhen të dhënat
Serverët dhe baza e të dhënave të Fature.al ndodhen në Bashkimin Evropian, në Holandë (DigitalOcean, qendra e të dhënave në Amsterdam). Faturat, klientët, produktet dhe të gjitha të dhënat e tjera të biznesit tuaj ruhen aty dhe përpunohen në përputhje me GDPR dhe Ligjin nr. 124/2024.
Nuk i shesim të dhënat tuaja dhe nuk i ndajmë me palë të treta për qëllimet e tyre. Shërbimet e mëposhtme i përdorim vetëm për të ofruar Fature.al, sipas Marrëveshjes për përpunimin e të dhënave.
2. Nënpërpunuesit
Këta shërbime përdoren për çdo llogari:
| Shërbimi | Qëllimi | Vendndodhja | Mbrojtja |
|---|---|---|---|
| DigitalOcean, LLC | Serverët, baza e të dhënave dhe kopjet rezervë | BE (Holandë, Amsterdam) | Marrëveshje për përpunimin e të dhënave (DPA) |
| Cloudflare, Inc. | DNS, mbrojtje nga sulmet DDoS dhe filtrimi i trafikut të rrezikshëm | Rrjet global; trafiku kalon nga pika më e afërt me përdoruesin. Cloudflare nuk i ruan të dhënat e faturave | DPA dhe Klauzolat Kontraktore Standarde të BE-së |
| Mailgun Technologies, Inc. (Sinch) | Dërgimi i email-eve të sistemit: rikthimi i fjalëkalimit, njoftime, faturat që dërgoni me email | BE | DPA |
| Pusher Ltd. | Njoftime në kohë reale në aplikacion (WebSocket) | BE | DPA |
| Functional Software, Inc. (Sentry) | Regjistrimi i gabimeve teknike, që t'i rregullojmë shpejt | BE | DPA. Të dhënat personale nuk dërgohen si parazgjedhje |
3. Shërbime që përdoren vetëm kur i aktivizoni
| Shërbimi | Qëllimi | Vendndodhja | Mbrojtja |
|---|---|---|---|
| Anthropic, PBC | Veçoritë me inteligjencë artificiale, p.sh. grupimi i produkteve me emra të ngjashëm në raportin e shitjeve | SHBA | Klauzolat Kontraktore Standarde të BE-së. Anthropic nuk i përdor këto të dhëna për të trajnuar modelet e tij |
Veçoritë me inteligjencë artificiale janë të fikura derisa administratori i biznesit t'i aktivizojë dhe të pranojë kushtet e tyre. Dërgojmë vetëm të dhënat që i duhen asaj veçorie. Anthropic i mban ato vetëm për një kohë të kufizuar, sipas kushteve të tij tregtare, dhe pastaj i fshin.
4. Autoriteti tatimor
Faturat i transmetohen Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për fiskalizim dhe e-Faturë, nëpërmjet sistemeve të AKSHI-t. Kjo nuk është nënpërpunim: e kërkon ligji dhe e kërkoni ju kur lëshoni faturën.
5. Integrimet që lidhni ju
Disa shërbime i lidhni vetë me Fature.al. Ato nuk janë nënpërpunuesit tanë: i zgjidhni ju dhe marrëdhënia me to është e juaja.
- Shopify, WooCommerce dhe Wolt: lexojmë porositë nga dyqani juaj për të lëshuar faturat. Nuk u dërgojmë të dhëna të klientëve tuaj.
- POK: kur zgjidhni pagesë me POK, i dërgojmë shumën, monedhën dhe një numër reference të pagesës. Të dhënat e kartës i përpunon vetëm POK.
- Klientët MCP dhe aplikacionet me API: marrin vetëm të dhënat që lejoni ju, pasi i lidhni dhe e konfirmoni ndarjen.
6. Ndryshimet në këtë listë
Para se të shtojmë ose të zëvendësojmë një nënpërpunues, e përditësojmë këtë faqe dhe njoftojmë me email administratorët e llogarive të paktën 30 ditë përpara. Mund të kundërshtoni sipas Marrëveshjes për përpunimin e të dhënave.