Kufijtë në fuqi
| Transaksioni | Cash lejohet deri në | Para janarit 2026 |
|---|---|---|
| Mes dy bizneseve | 100,000 lekë | 150,000 lekë |
| Mes një biznesi dhe një individi | 500,000 lekë | Pa kufi |
"Biznes" këtu do të thotë çdo tatimpagues me veprimtari: shoqëri, person fizik, individ tregtar, i vetëpunësuar ose organizatë. "Individ" është personi që blen ose shet si privat, pa veprimtari. Kufiri vlen si për shitjet ashtu edhe për blerjet: biznesi që blen nga një individ, p.sh. një makinë ose produkte bujqësore, ka të njëjtin kufi prej 500,000 lekësh.
Çfarë thotë ligji
Kufijtë janë te neni 59 i ligjit nr. 9920/2008 "Për procedurat tatimore", të ndryshuar me ligjin nr. 79/2025 të 11 dhjetorit 2025. Pika 1 thotë se tatimpaguesit nuk mund të kryejnë ndërmjet tyre transaksione shitjeje ose blerjeje me para në dorë "kur vlera e transaksionit është më e madhe se 100 000 lekë". Pika 3, e re, vendos të njëjtën gjë për transaksionet me individë mbi 500,000 lekë.
Ligji hyri në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, në fund të janarit 2026. Pagesat e bëra para kësaj date vlerësohen me rregullat e vjetra. Udhëzimet dhe shumë tekste të vjetra ende përmendin 150,000 lekë: për pagesat e sotme vlen shifra e ligjit, 100,000 lekë.
Çfarë quhet pagesë cash
Për kufirin, pagesë cash janë kartëmonedhat dhe monedhat. Udhëzimi i Ministrisë së Financave për procedurat tatimore sqaron se nuk quhen pagesa me para në dorë:
- transferta nga llogaria bankare e blerësit në llogarinë e shitësit;
- pagesa me kartë debiti ose krediti, edhe mes dy bizneseve;
- pagesa përmes institucioneve të parasë elektronike të licencuara nga Banka e Shqipërisë.
Para në dorë të derdhura nga blerësi në sportelin e bankës, në llogarinë e shitësit, mbeten pagesë cash. Kalojnë nga banka, por nuk vijnë nga llogaria e blerësit.
Mos e ngatërroni me faturën me para në dorë të fiskalizimit. Ajo përfshin edhe pagesat me kartë dhe çek, prandaj një faturë me para në dorë e paguar me kartë mund të jetë edhe mbi 100,000 lekë. Dallimin e kemi shpjeguar te fatura me para apo pa para në dorë.
Për transaksion, jo për faturë
Kufiri matet mbi vlerën e transaksionit, jo mbi çdo faturë ose çdo pagesë të pjesshme. Kur një furnizim që normalisht do të ishte një transaksion i vetëm ndahet në disa fatura nën kufi, që të paguhet me para në dorë, kjo quhet fraksionim dhe trajtohet si pagesë cash mbi limit.
Për ta vlerësuar, tatimet shohin natyrën e pjesëve të furnizimit dhe mënyrën si u dorëzua. Shembulli i udhëzimit: një kamion 25 tonësh që sjell disa ngarkesa nga 2 deri në 3 tonë, secila me faturën e vet, është në fakt një furnizim i vetëm.
Gjoba dhe kush e paguan
Pagesa cash mes bizneseve mbi kufi dënohet sipas nenit 120 me gjobë 10% të vlerës së çdo transaksioni. Kush e paguan varet nga mënyra si lëvizën paratë:
| Si u bë pagesa | Kush gjobitet |
|---|---|
| Blerësi i dha shitësit para në dorë | Shitësi dhe blerësi |
| Blerësi derdhi para në dorë në llogarinë bankare të shitësit | Vetëm blerësi |
| Shitësi, i autorizuar nga blerësi, tërhoqi para në dorë nga llogaria e blerësit | Vetëm shitësi |
Përveç gjobës, gjatë një kontrolli tatimet mund t'i rivlerësojnë këto transaksione me vlerën e tregut. Shpjegimet e gjobës në udhëzim janë shkruar për pagesat mes bizneseve. Kufirin me individët ligji ia ngarkon biznesit, jo individit.
Shembuj
| Rasti | Cash lejohet? |
|---|---|
| Një restorant blen mish nga furnitori për 80,000 lekë | Po |
| Një dyqan blen mallra nga shumitësi për 120,000 lekë | Jo: transfertë ose kartë |
| Një biznes paguan me kartën e kompanisë një faturë 250,000 lekë | Po, karta nuk është cash |
| Një individ blen mobilie për 400,000 lekë | Po |
| Një individ blen një makinë nga një autosallon për 1,200,000 lekë | Jo: bankë ose kartë |
| Një furnizim 300,000 lekë ndahet në tri fatura nga 100,000 dhe paguhet cash | Jo, është fraksionim |
Kur një individ blen një send me vlerë mbi 500,000 lekë, fatura duhet të ketë edhe të dhënat e tij, me numrin personal.
POS i detyrueshëm
I njëjti ligj shtoi nenin 59/3: kush shet me para në dorë duhet të ketë terminal POS në çdo pikë shitjeje, që klienti të mund të paguajë me kartë.
- Deri më 30 maj 2026: strukturat akomoduese (hotele, motele, bujtina, resorte etj.), transporti, institucionet publike dhe shoqëritë me kapital shtetëror.
- Deri më 31 dhjetor 2026: të gjithë të tjerët.
Përjashtohen bizneset në zona pa mbulim interneti, ata që nuk janë të detyruar të lëshojnë faturë, dhe të vetëpunësuarit e vetëm jashtë TVSH-së me një vendndodhje të vetme.
Mënyra e pagesës në faturë
Çdo faturë e fiskalizuar mban mënyrën e pagesës, kështu tatimet e shohin menjëherë si është paguar. Mënyrat e faturës me para në dorë janë kartëmonedha dhe monedha, kartë, çek, tollon, kartë kompanie dhe porosi që paguhet më vonë. Ato të faturës pa para në dorë janë transaksioni nga llogaria, faktoringu, kompensimi, transferimi i borxheve, fshirja e borxheve dhe pagesa në natyrë.
Një faturë mund të paguhet me disa mënyra njëherësh, p.sh. një pjesë cash dhe pjesa tjetër me kartë. Kujdes: kufiri matet mbi vlerën e transaksionit, jo mbi pjesën cash. Një shitje mes dy bizneseve mbi 100,000 lekë paguhet e gjitha me bankë ose kartë. Llojet e faturave i kemi përmbledhur te fatura tatimore.
Në fature.al
Në fature.al zgjidhni mënyrën e pagesës për çdo faturë, dhe mund ta ndani pagesën në disa mënyra, p.sh. cash dhe kartë. Pagesa me kartë në arkë shënohet si kartë, jo si cash, ndërsa faturat që paguhen me bankë lëshohen pa para në dorë dhe shënohen të paguara kur hyn transferta. Kështu çdo pagesë është e shkruar në faturë ashtu siç u bë.
Pyetje të shpeshta
Burimet: ligji nr. 9920/2008 "Për procedurat tatimore", nenet 59, 59/3 dhe 120, i ndryshuar me ligjin nr. 79/2025; udhëzimi i Ministrit të Financave nr. 24/2008 "Për procedurat tatimore", pikat 59 dhe 120; specifikimet teknike të shërbimit të fiskalizimit për mënyrat e pagesës.